Hysaj ka dalë përpara mediave përpara ndeshjes me Izraelin dhe ka folur për objektivat e tij personalë, fillimin e kampionatit italian dhe gjendjen e Kombëtares. Ai ka komentuar edhe zërat kritikë që thonë se ai nuk është i njëjti me Napolin dhe kombëtaren.
Keni qenë në formë në fillim të kampionatit…
Jam i kënaqur me fillim e kampionatit. Është e mirë edhe për kombëtaren dhe unë do të përpiqem të bëj të njëjtin gjë.
Cana u ka cilësuar si pasardhësin tuaj?
Është vlerësim i madh. Kam qenë i vogël kur e shikoja, u ndjeva krenar kur mora shiritin. Unë ndihem mirë, bëj punën timë, pastaj për shiritin do të shohim.
Mungesat në kombëtare, sa ndihen?
Sadiku apo Roshi janë mungesa të mëdha, por ne jemi grup i mirë dhe kemi të rikthyer edhe futbollistë me eksperiencë. Po krijojmë grup të mirë dhe jemi të bashkuar.
A ka shanse reale Shqiperia për në Europian?
Thjesht duhet të shfrytëzojmë të gjitha shanset, të gjithë i kanë mundësitë e tyre.
Kritikat pas ndeshjeve miqësore të verës?
Kemi ndryshuar shumë pas ndeshjeve të verës, të cilat ishin shumë keq. Atëherë kishte shumë faktorë, si pushimet, futbollistë të lodhur. Duhet ti harrojmë sa më shpejt ato ndeshje dhe të bëjmë mirë në të rradhës. Me karakterin që kemi ne shqiptarët do të bëjmë shumë në fushë.
Izraeli?
Nuk duhet të mendojmë të kaluarën dhe duhet të jemi të qetë. Të fokusohemi te kjo mundësi që kemi për të shkuar në Europian. Jemi stërvitur mirë dhe jemi gati. E kemi kuptuar se janë ndeshje zyrtare dhe jo miqësore. Ne nuk duhet ti falim minuta Izraelit siç bëmë këtu ndeshjen e parë. Kishim mundësi ti fitonim të dyja ndeshjet. Ajo që duhet të bëjmë tani është përqëndrimi. Kemi një trajner të ri dhe mendime të reja. E dimë ku duhet të përmirësohemi. Të gjithë duhet të kemi një gjë në tru, kualifikimin në Europian. Do të ishte një gjë e madhe dhe entuziazmi nuk na mungon.
Në kombëtare nuk jepni atë që jepni me Napolin, keni një koment për këto zëra?
Kur dal nga loja unë jam i qetë me veten se jap 100% gjithmonë. Unë këtu vij për qejfin tim sepse dua ti jap një dorë vendit tim. Sepse dua të bëj diçka për vendin tim. Pjesa tjetër nuk më intereson.





