Rikthehet sërish në qendër të rrjeteve sociale Ardi Daullxhiu nga Durrësi. Sa herë që ai shfaqet në ekran apo rrjete sociale, e ka një kërkesë. Por këtë radhë, ka marrë mbështetje të fortë dhe bindëse: krah tij qëndron presidenti i ardhshëm i vendit Ilir Meta dhe aktori i humorit Bes Kallaku.
Ka qenë Kallaku ai që ka publikuar në “Facebook” këtë video, në të cilën i bën thirrje komedianit Ermal Mamaqi që të mbajë fjalën e dhënë ndaj Ardit.
Kallaku së bashku me personazhin që ka marrë famë nga emisioni “Zonë e Lirë” të Arjan Çanit, i kanë kujtuar Ermalit premtimin që ai ka bërë disa kohë më parë duke thënë se nëse Ardi do të martohej, ai do t’i organizonte dasmën.
Ardi nuk ka kërkuar dasmë, por vetëm që të vishet nusja e tij me vello dhe ai me kostum, e më pas t’i organizojë një surprizë në emisionin “E diela shqiptare”, përmes rubrikës “Kam një mesazh për ty”.
Pasi i kujtuan këtë fakt Ermalit, Kallaku u shpreh se nëse nuk do ta mbante premtimin, do ta realizonte vetë Besi.
Qershia mbi tortë në këtë video është prania e Metës, i cili jo vetëm shfaqet në krah të Ardit, por madje i thotë vetë Ermalit se ky ishte një shans për të duke cituar kështu sloganin e LSI-së.
Videoja e xhiruar në plazhin e Durrësit, është shpërndarë edhe nga Monika Kryemadhi. Por ajo çka është më e rëndësishme, mbetet përgjigja e Mamaqit, nëse do ta mbajë fjalën apo jo…





