Në Durrës vidhet shumëçka: makina, biznese të ndryshme, banesa, kazino etj., njerëz në rrugë apo ambiente të shumëllojshme. Por që të vidhen dhe lule në lokal, kjo s’kishte ndodhur. Nisur edhe nga rrethanat dhe mbi të gjitha nga personat që e kanë kryer aktin e vjedhjes, rasti i fundit është vërtet banal.
Një çift duke shëtitur me qenin e tyre në mbrëmje pranë zonës së Vollgës në Durrës, janë fiksuar nga kamerat e sigurisë duke shkulur lulet nga vazot që ndodhen në pjesën e jashtme të një lokali.
Të dy ata i rrëmbejnë me shpejtësi lulet, dhe më pas vajza i mban në duar edhe largohen me nxitim së bashku me qenin që i ndjek nga pas.
Kjo ka ndodhur më datë 13 prill, në orën 22:08, te lokali “Liburn” që ndodhet në Rrugën e Epikadeve kur zbret nga Amfiteatri.
Ndoshta djali ka dashur të bëjë ndonjë veprim romantik për t’i dhuruar lule partneres së tij, që të ecnin më pas të dashuruar drejt bregut të detit, por kanë zgjedhur mënyrën më të turpshme.
“DurrësLajm” publikon më poshtë videon e momentit të ngjarjes, të siguruar nga kamerat e sigurisë së lokalit në fjalë.