Bedri Haka, 22 vjeç, banues në Krujë u arrestua sot si autor i vrasjes së biznesmenit nga Durrësi Leonard Murati.

Pas arrestimit gjatë aksionit special, ai u dërgua në Komisariatin e policisë së Durrësit, siç duket edhe në pamjet e shpërndara nga policia.

Mësohet se i riu ka qenë në makinë së bashku me dy djem të tjerë kur patrulla e policisë i ka bërë thirrje për të ndaluar.

Gjatë atij momenti, makina nuk ka ndaluar por ka lëvizur edhe për disa metra, dhe Bedri Haka është hedhur nga makina duke tentuar për t'u shpëtuar uniformave blu, por nuk ia ka dalë dot.

Haka akuzohet se është vrasës me pagesë, ndërkohë që planet për ekzekutimin e Muratit dolën gjatë hetimeve për dosjen e vrasësve me pagesë që drejtoheshin nga Admir Tafili nga burgu.

Zbardhja e përgjimit të një bisede telefonike mes të dënuarit me burgim të përjetshëm, Admir Tafili dhe Kristi Pines, në tetor 2014, nxori në dritë edhe “thurjen” e planit për vrasjen e biznesmenit durrsak, Leonard Murati.

Nga hetimet ka rezultuar se për vrasjen e Muratit ishin ofruar 50 mijë euro; nëse do vritej edhe nipi i tij, do paguheshin 100 mijë euro.

Sipas deklarimeve të dhëna nga Kristi Pine, kjo vrasje nuk është kryer nga ai, megjithëse ka pranuar se ka ndihmuar për të siguruar armët dhe fishekët.

Si ndodhi ekzekutimi në mes të Durrësit

Rreth orës 20:00 të 18 nëntorit 2014, një orë e gjysmë pas ekzekutimit të pronarit të bar “Center”-it, Leonard Murataj, drejtoria e policia së shtetit të qarkut nuk ishte ende në gjendje të jepte gjeneralitete për viktimën.

Moti i keq dhe me bubullima ka qenë tejet ideal për realizimin e një atentati të bujshëm ndaj një njeriu të njohur në qarqet e biznesit, drejtësisë dhe politikës.

Punimet që po kryhen në sheshin “Liria” të qytetit të Durrësit kanë penguar qarkullimin e automjeteve para barit “Center”, që ndodhet në anën lindore të sheshit, 50 metra larg ndërtesës së bashkisë.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, dy të rinj të veshur me rroba të zeza e dekoracione të bardha, kanë shkuar te bar “Center”.

Rreth orës 18:30 të datës 18 nëntor 2014, Leonard Murataj / Nard Murati u ka hapur derën e lokalit të tij dy të rinjve për t’i futur brenda.

Por nuk ka pasur kohë as t’i ftojë, pasi mbi të u zbrazën shumë plumba pistolete dhe Murati ka rënë në mes të derës, duke e bllokuar me kufomën e vet.

Dy të rinjtë janë larguar më këmbë drejt sheshit para pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu” duke folur me zë të lartë: “E vramë, e vramë”.

Pastaj kanë ecur nëpër bulevardin kryesor, ku i ka pritur një automjet.