28gusht 2015 – Publikohen pamjet e kamerave të sigurisë në urgjencën e spitalit të Durrësit, ku të shtunën e kaluar u dhunuar mjeku kirurg, Anton Ndoj. Në pamjet e publikuara duket qartë se çfarë ka ndodhur dhe momenti kur agresori 23­vjeçar, Jurgen Hoxha, i drejtohet mjekur dhe e dhunon. Grupi hetimor analizoi pamjet filmike të fiksuara nga kamerat e sigurisë të spitalit dhe zbardhi momentin e dhunës ndaj mjekut nga nipi i pacientit 80-vjeçar. Konflikti nisi kur mjeku u kërkoi familjarëve të të moshuarit të blinin jashtë spitalit një kateter tretubësh që i nevojitej pas ndërhyrjes.

Mjeku Anton Ndoj, i cili aktualisht ndodhet me frakturë në shpatull, tha se, spitali nuk kishte atë lloj kateteri dhe ai ia kishte thënë për më mirë. “Nuk ua përcaktova se në cilën farmaci ta blinin. Në këto momente familjarët nisën të debatonin, duke nisur një konflikt verbal me mua. Edhe unë ua ktheva në të njëjtën mënyrë. Më pas u godita nga një person, të cilin nuk e njihja. Ai më mori zvarrë nëpër korridor dhe më përplasi nëpër dyert e spitalit”.

Kjo ngjarje ka bërë që policia të shpallë në kërkim 23-vjeçarin Hoxha, ndërsa mjeku ndodhet me raport, pasi fraktura në shpatullën e djathtë ia bën të pamundur angazhimin në punë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/