Grabitja e Kazinosë, mbrëmjen e së premtes, në zonën e Komunës së Parisit në kryeqytet është kryer për më pak se dy minuta.

Burime nga Policia e Tiranës bëjnë me dije se, në bazë të informacioneve të grumbulluara deri më tani, rezulton se dy janë personat që kanë kryer grabitjen.

Siç shihet dhe nga pamjet, të siguruara nga televizioni “Klan”, njëri prej autorëve mbante në dorë një çantë ngjyrë blu, ndërsa tjetri e kërcënonte me pistoletë punonjësin e kazinosë.

Që në momentin e parë, ata i kanë thënë punonjësit të sigurisë të ulet përtokë dhe më pas kanë bërë kontrolle në banak dhe kasafortën që gjendej pranë tij.

Siç duket edhe në pamje, autori është i veshur me tuta ngjyrë blu e errët, doreza për të mos lënë gjurmë, xhup të zi me shirit të bardhë dhe atlete ngjyrë kafe me të bardhë.

Sipas dëshmive të punonjësve të kazinosë, të dhëna para oficerëve të Policisë Gjyqësore, dy autorët kanë shfrytëzuar momentin kur nuk kishte klientë dhe stafi po futej në kazino, pasi kishin qëndruar për të pirë cigare.

Sipas policisë, kanë marrë rreth 1 milion lekë të vjetër në kasafortë dhe sende me vlerë në sirtarët e banakut.

Pavarësisht hetimeve, policia ende nuk ka asnjë person të arrestuar si autor të ngjarjes. /Tv Klan