Një ngjarje e pakëndshme ka ndodhur në Kosovë, ku një kamarier në një lokal ka nxjerrë me forcë një vogëlushe të komunitetit egjiptien nga lokali, në prani edhe të ministrit të Bujqësisë së Kosovës, Faton Peci.

Ka qenë deputeti Veton Berisha, njëherësh edhe kryetar i PLE-së, i cili përmes një postimi në Facebook ka ndarë videon dhe krahas saj ka shkruar se ka mbetur i çuditur sesi mund të bëhet një veprim i tillë në prani të ministrit të qeverisë Kurti.

“Në prezenc të ministrit Faton Peci një vajzë e komunitetit jo-shumicë nxirret zvarrë nga një lokal

➡️Si mundet të bëhet një gjest i tillë nga ana e kamarierit dhe ministri i qeverisë Kurti nuk e bën asnjë reagim dhe as që i bën përshtypje akti i shëmtuar!!!

Prej kujt pritet të kemi mbrojtje kur ndodhë kjo ngjarje para syve të atyre që kanë premtuar se komunitetet do të jetojnë dinjitetshëm!?

Faton Peci është kolegë i ministrit tonë z. Elbert Krasniqi i cili erdhi në përfaqësim duke mashtruar se ai do të ndryshoj gjendjen e komunitetit Egjiptian!?

Ja populli i dashur cili është ndryshimi!

Tmerrrrr..!

P.S. Ju lutem shumë JO komente ofenduese!”, është shprehur Veton Berisha në reagimin e tij në Facebook.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i ministrit të Bujqësisë në Kosovë, Faton Peci, i cili përmes një reagimi në Facebook ka thënë se nuk mund të mbajë përgjegjësi për ndonjë veprim që ndodh në ndonjë lokal ku ka qëlluar rastësisht.

Ai tha se ky rast nuk mund të zbehë sukseset e ministrisë të cilë ai drejton, duke shtuar se rivalët politikë e kanë të vështirë të gjejnë skandale atje dhe sipas tij kjo është arsyeja që merren me këto sulme.

Reagimi i Plotë i Pecit:

Së pari, distancohem nga secili akt që përcjellë dhunë ndaj çdo qytetari të Republikës së Kosovës, e ndaj fëmijëve në veçanti, pa dallim feje, etnie a komuniteti.

Së dyti, në mungesë të skandaleve në institucionin të cilin e udhëheq, si dhe për t’i zbehur sadopak sukseset në sektorin e bujqësisë, nuk janë të paktë ata që ditë e natë më ndjekin hap pas hapi duke xhiruar vazhdimisht, për të gjetur apo për ta shpikur ndonjë moment në të cilin unë kryej “veprime skandaloze”.

I ka rastisur secilit që kur bisedon me tjetrin, vëmendja është vetëm tek bashkë-biseduesi e jo tek i gjithë lokali. Kete pamje per here te pare e pashe ne rrjete sociale e ne media.

Nga ana tjetër, unë nuk jam përgjegjës për veprimet e asnjë individi të moshës madhore e sidomos të një të punësuari në një nga lokalet e qytetit; ku ndaj veprimeve si në video, distancohem plotësisht.

Siç rëndom ndodh, së fundmi të koordinuar mirë në sulm ishin edhe disa “Rugovista” të Hashimit. Mirëpo kjo nuk do ta ndalë luftën time kundër krimit e korrupsionit sepse do të vazhdoj të punoj për shtet ligjor e dinjitoz.

62 milionë euro këtë vit nuk shkuan në xhepat e atyre që blinin xhipa të zinj por tek bujqit e vërtetë të Kosovës e kjo siç shihet po iu pengon disave ashtu siç po iu pengojnë 26 milionë euro të projekteve të granteve që nuk shkuan tek shokët e tyre apo edhe denoncimi i keqpërdorimeve të shumta me pronat e Ministrisë së Bujqësisë.

Përkrahja per komunitetet jo-shumicë nga Qeveria e tanishme është më e madhe se asnjëherë, ndërsa dita-ditës, organet e rendit bëjnë përpjekje t’i luftojnë dukuritë negative, përfshirë edhe nevojën e fëmijëve për kërkimlëmoshë.

Është detyrë e institucioneve të largojnë nevojën e kërkim-lëmoshës përmes promovimit të barazisë sociale me theks në mbrojtjen e kategorive më të pambrojtura.

Modeli i politikanëve dhe “biznesmenëve” oriental e lindorë sikur duan që t’i shohin ministrat duke ndarë publikisht lëmoshë. E nëse përveç edukatës familjare ka diçka që na ka bindur se nuk duhet të keqpërdoren publikisht rastet e njerëzve në nevojë, është modeli i politikbërjes së Behxhet Pacollit përmes kinse fondacionit të tij. Politikanit të Kremlinit dhe atyre të financuar nga burimet të ngjajshme i them që nuk do të kenë rast të zbulojnë “skandale” nga pozita që e ushtroj me shumë përgjegjësi, ndaj i mbeten të kujdestarojnë nëse unë do të jem aksidentalisht pjesë e ambienteve ku abuzohet me të tjerë, në këtë rast një fëmijë. Edhe në këtë rast, nëse mediat duan t’iu përngjajnë mediave profesionale do të duhej të kujdeseshin për mbulimin e fytyrës fëmijës që publikohet në video.

Kjo vetëm e shpërfaqë para opinionit fytyrën e vërtetë të misionit të këtyre “mediave”, fytyrë të cilën ne që jemi pjesë e jetës publike ka kohë që e njohim.