600 kilogramë marijuanë që po transportohej me gomone nëpërmjet Adriatikut drejt Italisë, u hodh në mes të detit nga trafikantët, pasi pas tyre, ishin vënë në ndjekje Guardia di Finanza.
Mediet e vendit fqinj raportojnë se droga dyshohet se vinte nga Shqipëria, dhe për transportimin e saj, trafikantët që ende nuk janë kapur, kishin përdorur një gomone rreth 10 metra të gjatë dhe me dy motorë të fuqishëm, me anë të të cilëve ata mundën të largoheshin me shpejtësi të madhe.
Sipas autoriteteve italiane, gomonia fillimisht u diktua nga një helikopter e më pas policia ka tentuar ta ndalojë, dhe pas disa manovrave të rrezikshme, trafikantët panë si zgjidhjen e duhur që ta braktisnin drogën në det dhe të shpëtonin kokën.
Sipas të njëjtave medie, ata u larguan me shpejtësi në drejtim të brigjeve shqiptare dhe për kapjen e tyre janë angazhuar dhe forcat policore shqiptare e malazeze.
Vlera e drogës së hedhur së sekuestruar përllogaritet afro 5 milionë euro.
S.L.