Në një dalje për mediat, kreu i Konfederatës së Sindikatës së Shqipërisë, Kol Nikolli ka shprehur sot shqetësimin rreth marrëdhënieve kontratuale në lidhje me Autoritetin Portual Durrës.

Nikolli tha se prej muajsh janë plotësuar kushtet ligjore për nënshkrimin e kontratave kolektive për punonjësit e APD-së, por që sipas tij, faktori politik në Durrës po përpiqet ta mbajë peng këtë institucion.

“Konfederata e Sindikatës së Shqipërisë është tërësisht e vendosur për ta ndjekur këtë problem deri në fund, jo vetëm në rrugë ligjore, të cilat tashmë kanë nisur, por edhe me rezistencë demokratike në përputhje të plotë me ligjin për grevën, në përputhje të plotë me Kodin e Punës dhe në përputhje të plotë dhe me kushtet e protokollit të Covid-19.”, u shpreh Nikolli ndërsa tregoi se po përgatisin një dosje për SPAK-un në lidhje me disa institucione të qytetit bregdetar.

DEKLARATA E PLOTË

Konfederata e Sindikatës së Shqipërisë shpreh sot kltu në Durrës një shqetësim të saj në lidhje me marrëdhëniet kontratuale në lidhje me Autoritetin Portual Durrës. Ka prej muajsh që Konfederata e Sindikatës së Shqipërisë ka plotësuar tërësisht të gjitha kushtet ligjore për të nënshkruar një kontratë kolektive për punonjësit e kësaj kompanie, por fatkeqësisht disa segmente të përcaktuara nga vetë kompania dhe veçanërisht Zyra e Shërbimit Kombëtar të Punësimit Durrës dhe segmente të caktuara politikë këtu në Durrës, të cilat vazhdimisht përpiqen të ushtrojnë pushtetin jo nëpërmjet demokracisë por nëpërmjet dhunës, po përpiqen të mbajnë peng Autoritetin Portual Durrës për të nënshkruar kontrata kolektive me punonjësit. Konfederata e Sindikatës së Shqipërisë është tërësisht e vendosur për ta ndjekur këtë problem deri në fund, jo vetëm në rrugë ligjore, të cilat tashmë kanë nisur, por edhe me rezistencë demokratike në përputhje të plotë me ligjin për grevën, në përputhje të plotë me Kodin e Punës dhe në përputhje të plotë dhe me kushtet e protokollit të Covid-19. Ne nga java që vjen do të ndërmarrim një sërë aktivitetesh shtrënguese, protestuese në Autoritetin Portual Durrës, dhe në gjithë ndërmarrjet e tjera të Durrësit, ku një lloj bande ekonomike po përpiqet të shkatërrojë lëvizjen sindikale. Për këtë ne po përgatisim një dosje të veçantë edhe për SPAK-un në lidhje me Ujësjellësin, Bashkinë e Durrësit, Ndërmarrjen e Gjelbërimit dhe pastrimit të Durrësit etj., të cilat prej vitesh po abuzojnë me fondet e sindikatës, po abuzojnë me të drejtat e punëtorëve dhe e kanë kthyer lëvizjen sindikale këtu në Durrës në një shesh beteje të klaneve politike dhe ekonomike të Durrësit.