Një burrë ka humbur jetën tragjikisht pasi ra në një gropë të madhe e cila u hap papritur në Seul. Ai u gjet i vdekur nga zjarrfikësit.  Burri po ngiste motoçikletën e tij në rrethin Gangdong, kur asfalti u shemb rreth orës 18:30 të hënën.

Ekipet e shpëtimit e gjetën trupin e tij nën tokë të martën rreth orës 11:00, rreth 50 metra nga vendi ku ai kishte rënë. Në këtë incident, i cili është bërë viral në rrjetet sociale të Koresë së Jugut, u lëndua edhe një shofer i makinës.

Një video amatore që qarkullon gjerësisht në internet, duket se tregon momentin kur asfalti u shemb pranë një kryqëzimi trafiku. Në të shihet se motoçiklisti bie në vrimë, ndërsa një makinë që ecën para tij i shpëton për pak.

Shpëtimtarët gjetën një telefon celular dhe një motoçikletë në gropë e cila është 20 metra e gjerë dhe 20 metra e thellë. Burri, që thuhet se është rreth të 30-ve, nuk është identifikuar ende nga autoritetet.