Një histori e ngatërruar të dashurish dhe ish-të dashurish mes Ledri Vulës dhe Krenar Çoçajt ka përfunduar në gjykatat e vendit. Ditën e djeshme reperi kosovar është përballur me biznesmenin në sallën e gjyqit për një sherr të ndodhur vite më parë, në kohën kur Krenar Çoçaj ishte i lidhur me Dafina Zeqirin. Ky mendohet të ketë qenë edhe shkaku i sulmit që biznesmeni Çoçaj, tashmë në një lidhje me Luana Vjollcën, ka kryer natën e 7 qershorit të vitit 2012.

Ai bashkë me Gazmend Mirenën akuzohen se kanë sulmuar Ledri Vulën pasi ia kishin zënë rrugën me makinë dhe e kishin nxjerrë nga makina në njërën nga rrugët kryesore të Prishtinës.

Nga ky sulm, Ledri Vula kishte marrë lëndime trupore.

Sipas aktakuzës, Gazmend Mirena e ka goditur Vulën me kondak të revoles në vetullën e majtë dhe në kokë, ndërsa Krenar Çoçaj me shufër hekuri në shpinë dhe në kokë. Si rezultat, të akuzuarit Mirena dhe Çoçaj kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, ndërsa Mirena akuzohet edhe për veprën penale të përdorimit të armës, mjet ky i cili kishte shërbyer për rrahjen e viktimës.

Dy të akuzuarit Mirena dhe Çoçaj, nuk e pranuan fajësinë për asnjërën nga veprat penale për të cilat akuzohen.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Vulës, Tomë Gashi, beson se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të vërtetohet fajësia e të akuzuarve sepse, sipas tij, në bazë të deklaratës së Vulës të akuzuarit janë identifikuar si sulmues ndaj tij.

I dëmtuari Ledri Vula doli para trupit gjykues në cilësinë e dëshmitarit dhe e rrëfeu ngjarjen e natës së 7 qershorit të vitit 2012.