Me dhjetëra familjarë po rrinë me “zemër në dorë”, për shkak të daljes së lumit Erzen nga shtrati. Reshjet e shumta të dy ditëve të fundit kanë bërë që ujërat e lumit të shpërthejnë në rrugë, pranë banesave, duke shkaktuar panik te banorët e lagjes Erzen, që rrezikohen nga përmbytjet sa herë që lumi ka prurje të mëdha. Gjatë mëngjesit të sotëm prurjet e lumit kishin kaluar cakun kritik, duke shpërthyer edhe nga diga. Banorët i bëjnë apel bashkisë dhe prefekturës të përfundojnë punimet e nisura gjatë verës për rehabilitimin e digës që do të sillte edhe shmangien e përmbytjeve.
“Mjaftojnë të ngrinin digën, të përfundojnë punimet që nisën. Vetëm nga shpërblimet e përmbytjeve që u japin banorëve do ta kishin përfunduar punën. 300 metra digë duhet dhe shmangen përmbytjet dhe problematika 20-vjeçare”, thotë një banor.
“Është katastrofë ajo që ndodh sa herë ka përmbytje. Po presim të mos bjerë shi, se në të kundërt, uji hyn dy metra brenda në banesë. Me sytë nga qielli e dorë në zemër të pushojë shiu, të mos na marrë plaçkat përpara”, thotë një grua.
“Lumi Erzen së paku 2 herë në vit ka dalë nga shtati, duke përmbytur e duke nxjerrë jashtë funksioni mbi 100 banesa. Banorët e kësaj lagjeje, sa herë ka përmbytje strehohen në ambientet e brendshme të bashkisë, ndërsa një pjesë e evakuuar tek të afërmit. Apeli ka qenë i njëjtë për çdo vit, rehabilitoni shtratin e lumit Erzen, por deri tani rehabilitimi ka qenë i pjesshëm, dhe shkak për përmbytje të vazhdueshme.”
K.H.





