Edi Martini pret suksesin e radhës në kampionat të Teutës, edhe pse përballë do të ketë kampionen në fuqi, Tiranën. Para sfidës me bardheblutë trajneri shkodran theksoi se në kampin durrsak ka shumë më tepër qetësi.

“Jemi në pikun e kampionatit, kemi dhe dy ndeshje që të mbyllet kjo periudhë e garës. Sigurisht këto dy fitore na kanë dhënë qetësi. Edhe në ndeshjet që kemi barazuar kemi bërë paraqitje të mira. Pikët na kanë dhënë qetësinë që na duhet”.

Sfida me Tiranën:

“Tirana është rivale si të gjitha skuadrat e tjera. Është ndeshje radhës, nuk duhet ta cilësojmë si shumë të rëndësishme. Të gjitha sfidat janë të rëndësishme. Tri pikë merr me Tiranën, tri merr edhe me Apoloninë dhe Skënderbeun. Me Tiranën të gjitha ndeshjet janë të forta, të bukura, të luftuara dhe kjo na motivon edhe më shumë. Mendoj se e kemi aftësinë, forcën dhe lojtarët e duhur që t’ia dalin me sukses”.

Barazimet në shtëpi:

“Në kushtet që bëhet kampionati, pa tifozë, nuk më duket se ka rëndësi kush luan. Fati nuk ka qenë me ne, por edhe në disa takime arbitrat na kanë mohuar dy apo tri penallti, si me Laçin dhe Skënderbeun. Kjo ka qenë arsye pse në Durrës nuk kemi fituar. Gara  për titull? Nuk e di cilët do jenë rivalët, por sigurisht që ne do të jemi në lojë deri në ditën e fundit të kampionatit”.