Nën forca të rrepta policie, mbërrijnë në gjykatën e Durrësit dy të arrestuarit për 143 kg kokainë të kapur pak ditë më parë në port.
Dy administratorët e kompanisë pritëse të ngarkesës me banane, Erion Peti dhe Klajdi Xibraku kanë dalë para trupës gjykuese paraditen e kësaj të marte për t’u njohur me masën e sigurisë.
I veshur me xhup të kuq, Klajdi Xibraku duket në një moment që shfryn teksa pret që të nisë seanca, ndërsa Erion Peti qëndron me kokë ulur në disa momente.
Xibraku do të përfaqësohet nga avokati Drilon Cani dhe Erion Peti do të përfaqësohet nga avokati Elton Hyseni, ndërsa gjyqtare e çështjes është Eda Kaja.
Të shtunën që lam pas, shërbimet policore dhe ato doganore gjetën të fshehura në tavanin e një kontenieri me banane, pako të mbushura me lëndë narkotike të dyshuar kokainë me peshë totale 143 kilogramë.
Ky kontenier ishte nisur nga porti i GUAYAQUIL në Ekuador dhe kishte kaluar tranzit në portin “GIOIA TAURO”, Itali, me destinacion Shqipërinë, për llogari të një firme me qendër në Tiranë.





