Paraditen e kësaj të premteje është përcjellë për në banesën e fundit aktori i njohur, Gulielm Radoja.

Përcjellja është bërë nga banesa e aktorit në lagjen nr.17 të Durrësit për në varrezat e qytetit bregdetar, ku miq, kolegë, të afërm e qytetarë të shumtë kanë dalë për ta duartrokitur për herë të fundit për gjithçka la pas.

Ceremonia e lamtumirës së Radojas ka qenë private, pasi amaneti i aktorit ishte që të mos kishte homazhe.

“Unë, qytetari Gulielm Radoja, e sfidoj këtë qeveri, këtë anonimat… dhe si aktor nuk do t’i lejoj kurrë luksin atyre, që të vijnë të bëjnë homazhe në kufomën time. Siç i sfidoi Bujar Lako, edhe Fadil Kujovska, edhe Fatos Çela… Jo thanë! Nuk duhet të vinë të bëjnë show me kufomat tonë, do shkojmë atje si qytetarë”, pati deklaruar në vitin 2018 aktori teksa protestonte për prishjen e Teatrit Kombëtar.

Aktori i madh, Gulielm Radoja, i cili u nda nga jeta mëngjesin e 5 majit për shkak të komplikacioneve në shëndet që i shkaktoi Covid-19, ka luajtur më shumë se 30 role në kinematografi dhe për meritat e tij artistike është nderuar me titullin “Artist i Merituar”.

Ikja e tij e përjetshme në moshën 76-vjeçare la trishtim të thellë për familjarët, miqtë, kolegët dhe të gjithë shqiptarët.