Ky është lideri i Hamasit, Yahya Sinwar, dhe momentet e tij të fundit të jetës brenda një ndërtese të shkatërruar në jug të Gazës. Çastet e tij të fundit janë filmuar nga një dron i ushtrisë izraelite përpara se të vritej brenda një ndërtese në Tal Ash Sultan në Rafah. Por si u zbulua lideri i Hamasit?

Një ekip i ushtrisë izraelite po patrullonte dhe po kryente kontrolle në atë zonë kur në rrugë hasi një grup prej 5 personash. Këta të fundit, sapo panë ushtarët izraelitë, nisën të hidhnin granata në drejtim të tyre.

Ushtarët izraelitë vranë 4 prej tyre. I pesti u fut brenda një ndërtese që ishte aty pranë. Alarmi u dha dhe vendi u rrethua nga ushtria e Izraelit. Një snajper izraelit qëndronte në distancë i pozicionuar sipas protokollit. Asnjë prej ushtarëve izraelitë nuk hyri brenda ndërtesës, por mbanin të rrethuar objektin.

Ata ngritën në fluturim një dron me kamera për të gjetur personin e pestë që ishte fshehur brenda godinës së shkatërruar. Droni arriti të lokalizonte këtë person, që rezultoi se ishte pikërisht Yahya Sinwar. Ky i fundit, siç duket në pamje, qëndronte i ulur në një kolltuk. Arma e tij ishte pa municione. Sapo pa dronin, ai nisi të hidhte shkopinj në drejtim të objektit fluturues.

Snajperisti i ushtrisë izraelite, një djalë 20-vjeçar, me urdhër të komandantit të tij, ekzekutoi me një plumb në kokë Yahya Sinwar. Më pas brenda ndërtesës hyri ushtria izraelite për të marrë trupin e pajetë të liderit të Hamasit. Për t’u siguruar që ishte ai, bënë analizat e ADN-së që konfirmuan se personi i vrarë ishte pikërisht udhëheqësi i Hamasit, i konsideruar si “arkitekti” i sulmeve vdekjeprurëse ndaj Izraelit 1 vit më parë.

Organizata terroriste e Hamasit mbetet tashmë pa një lider, kjo edhe për faktin se vëllai i Yahya Sinwar, gjithashtu është vrarë më herët. Me eliminimin e Yahya Sinwar, liderët perëndimorë kanë bërë thirrje për armëpushim në Gaza dhe kthimin në Izrael të pengjeve.