Autoritetet policore në kryeqytet, gjatë 24 orëve të fundit kanë finalizuar dy operacione antidrogë të koduara “Befasia” dhe “Papafingo”, në kuadër të të cilave janë kapur 1 ton e 291 kilogramë kanabis.
Në pranga kanë përfunduar 6 persona ndërsa 3 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Të arrestuarit janë: Fatjon Mesi, Ilir Ferhati, Izmir Muja, Saimir Grosha, si dhe bashkëshortët Hasan Sula dhe Merita Sula. Ndërsa në kërkim u shpallën A.Ç., K.S. dhe S.S.
Të arrestuarit e ushtronin aktivitetin e tyre kriminal të shitjes së drogës në Kamëz, Paskuqan, Babrru etj. Gjatë operacionit u sekuestrua edhe një armë zjarri.
Gjatë operacionit “Befasia” janë arrestuar në flagrancë shtetasit:
• Fajton Mesi, 31 vjeç, banues në Nikël -Çerek;
• Ilir Ferati, 31 vjeç, banues në fshatin Bardhoc, Kukës
• Izmir Muja, 32 vjeç, banues në Lum Kukës, i dënuar me parë.
• Sajmir Grosha, 33 vjeç, banues në Bardhoc i Ri, Kukës, i dënuar më parë.
Është shpallur në kërkim shtetasi: A.Ç., 38 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë.
NDJEKJE SI NË FILMA
Personat e lartpërmendur u kapën në flagrancë në orët e mbrëmjes në rrugën “Unaza e re, Lidhja e Prizrenit” në këto rrethana: Policia kishte marrë informacion në rrugë operative në drejtim të goditjes së veprimtarisë së kundraligjshme në fushën e narkotikëve, për një grup që kryente veprimtari kriminale në këtë fushë, ku dyshohej se shtetasit Fatjon Mesi, Ilir Ferati, Izmir Muja, Sajmir Grosha si dhe një shtetas tjetër me inicialet A. Ç, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kryenin aktivitetin e kundërligjshëm të shitjes së lëndëve narkotike të dyshuar të llojit Cannabis Sattiva në sasi të konsiderueshme, personave të ndryshëm në zonën e Kamzës, Institut Kamzës, Paskuqanit, Babrrusë, etj.
Mbi bazën e këtyre informacioneve të marra në rrugë operative është organizuar shërbimi me qëllim kapjen në flagrancë të këtyre shtetasve ku rreth orës 21:30 është bërë ndërhyrja.
Automjeti me të cilin lëviznin personat e dyshuar me targa TR 0244 S, i është bërë shenjë për të ndaluar nga shërbimet e policisë me xhupa me mbishkrimin “POLICIA” dhe duke e paralajmëruar “Ndal Policia”, por automjeti nuk ka ndaluar dhe pasi ka parë automjetin e policisë ka vazhduar me shpejtësi për t’ju shmangur shërbimeve të Policisë.
Gjatë kësaj kohe shtetasi i identifikuar si A.Ç. është larguar me vrap duke dalë nga mjeti, ndërsa drejtuesi ka vazhduar dhe në shpejtësi e sipër për t’i shpëtuar shërbimeve të policisë, ka devijuar rrugën kryesore, duke hipur në trotuar ku dhe është përplasur me një shtyllë.
Në atë moment është neutralizuar dhe prangosur shtetasi Fatjon Mesi. Në bagazhin e automjetit dhe në sediljen e pasme janë gjetur gjithsej 8 thasë të mbushur me bimë të tharë e dyshuar si narkotike e llojit Cannabis Sattiva.
Policia ka neutralizuar edhe 3 personat e tjerë të cilët qëndronin në kryqëzimin e Paskuqanit duke ruajtur lëvizjen e automjetit tip “Wolksvagen Polo”.
Gjithashtu janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 automjete dhe 4 telefona celularë.
Në operacionin e dytë të koduar “Papafingo” u arrestuan shtetasit:
• Hasan Sula, 50 vjeç, banues në Rinas;
• Merita Sula, 45 vjeçe, bashkëshortja;
Si dhe janë shpallur në kërkim shtetasit:
– K. S, 26 vjeç, banues në Rinas;
– S. S., 25 vjeç, banues në Rinas.
MBI 1 TON KANABIS NË PAPAFINGO
Arrestimi i çiftit Sula si dhe shpallja në kërkim e dy djemve të tyre u bë pasi, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative të dokumentuara në operacionin e parë “Befasia”, se një sasi lënde narkotike e sjellë në Tiranë për shitje, e cila u bllokua nga Policia ka rezultuar të jetë marrë nga shtetasi Hasan Sula, me banim në Rinas.
Pas ushtrimit të kontrollit të banesës ka rezultuar se kryesisht në katin e dytë, në papafingo, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale gjithsej 1 ton e 239,5 kg kanabis sativa, e ndarë në 170 thasë me sistem vakumi; 1 pushkë model 56; 25 fishekë dhe 1 peshore elektronike (e cila përdorej për peshimin e lëndës së dyshuar si narkotike).





