Sasira të mëdha vaji të djegur janë derdhur nga persona ende të paidentifikuar nga policia e Durrësit në akuariumin e portit duke përbërë një skandal të radhës për shkak të ndotjes së madhe mjedisore të krijuar. 

Denoncimi është bërë nga organizata e Menaxhim-Peshkimit në Durrës, e cila e konsideron portin më të ri “pa zot”.

Qemal Beu kreu i organizatës së Menaxhim-Peshkimit në Durrës deklaroi se prej tre muajsh kryeministri Edi Rama në takim me peshkatarët e ka dorëzuar këtë investim që shkoi rreth 16 milionë euro, por vetëm me gojë sepse dorëzimi nuk është bërë nga Ministria e Bujqësisë e cila është edhe ministria e varësisë direkte.

Sasitë e mëdha të vajit të djegur të nxjerra nga motorrët dhe depozitat e anijeve që qëndrojnë aty të ankoruara u përhapën në të gjitha bankinat. Po ashtu edhe grumbujt e plehrave kanë zënë vendin e anijeve.

Porti i ri i peshkimit i ndërtuar me kredi të huaja për të cilat vijojnë të paguhen këstet, as nuk është funksional për anijet e peshkimit. Bankinat janë ndërtuar me gurë, dhe aty nuk mund të ankorohen anijet sepse dëmtohen rëndë nga përplasja me gurë. 

Qemal Beu thotë se është rënë dakord që të ndërtohen 10 bankina e të hiqen gurët, që nuk dihet për çfarë arsyeje u hodhën në një port anijesh.

Burimet nga kapitaneria e portit thanë se Porti i ri i peshkimit nuk është në dorëzim të autoritete në Durrës e për pasojë aty çdo kush mund të bëjë çfarë të dojë për aq kohë sa mbetet i pambikëqyrur nga strukturat.