Në Durrës, prej Torrës Veneciane, ka nisur investimi i bashkisë së Durrësit për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve i cili do u japë fund edhe përmbytjeve që shkaktohen në këtë zonë.
Investimi ka nisur me hapjen e rrugës pikërisht aty ku u investua në fillim të verës për zgjerimin e saj në pjesën e lulishtes nga ana e shëtitores “Taulantia”. Ujësjellës Kanalizime Durrës ka nisur një investim të rëndësishëm për disiplinimin e ujërave të zeza në lagjen nr. 1 të qytetit , duke shmangur përfundimisht ndotjen e bregdetit përgjatë shëtitores “Taulantia” si dhe përmbytjet që ndodhin në stacionin e trenit dhe te hyrja nr. 2 e portit.
* ÇFARË MUNDËSON PROJEKTI 4.2 MLN EURO
Projekti ka vlerën e 4.2 milionë eurove që jepen në formën e kredisë nga Banka Botërore. Burime nga UKD-ja bëjnë të ditur për “DurrësLajm” se duke qenë se në zonën në fjalë kemi një rrjet kanalizimesh miks, pasi ujërat e zeza dhe të shiut janë në një kanalizim të vetëm, projekti i ri do të mundësojë ndarjen e tyre dhe shmangien e përmbytjeve dhe mbledhjen e ujërave të zeza nga “Aragosta” dhe që do përfundojnë në impiantin e ShënVlashit.
Projekti në fjalë parashikon ndërtimin e një kolektori kryesor me gjatësi 4.2 km si dhe rikonstruksionin e stacioneve të pompimit nr. 7 dhe 8. Investimi pritet të përmirësojë ndjeshëm situatën e përmbytjeve në raste reshjesh, pasi janë vendosur dy pompa që të largojnë ujërat e shirave, njëra te stacioni i trenit dhe tjetra te projekti i “Velierës” që këto ujëra të derdhen në det. Inxhinierët e UKD-së shprehen se tashmë me këtë investim përfundimsht nuk ka më ndotje.
Investimi në fjalë është investimi i dytë më i rëndësishëm që kryen ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Durrës pas atij që po përfundon në zonën e plazhit, nga Ura e Dajlanit deri te Përroi i Agait.
* SEGMENT I RËNDËSISHËM E PROBLEMATIK
Ky segment që shërben jo vetëm për shëtitoren bregdetare por edhe si pikë lidhëse me muzeun arkeologjik, mbetet një prej më problematikeve për shkak të përmbytjeve sa herë bie shi. Në këtë segment shkaktohen mjaft përmbytje duke bërë që rruga të jetë e pakalueshme as për makinat e as për këmbësorët.
Të gjitha investimet e kryera në vite që kanë qenë të planifikuara nuk i kanë dhënë zgjidhje deri tani këtij problemi madhor. Vendosja e tubave me diametër të madh do të shpëtonte një herë e mirë nga përmbytjet dhe bllokimin e kanalizimeve, të gjithë banorët e kësaj lagjeje që konsiderohet si pasqyra e turizmit në Durrës.
Lagjja numër 1 në Durrës për pozicionin e saj gjeografik mbetet më e frekuentuara nga turistët vendas e të huaj, por që fatkeqësisht problemet me infrastrukturën kanë qenë të mëdha.
K.H.





