Ditën e sotme rreth orës 14:00, ka nisur procesi i vaksinimit për mësuesit e shkollave publike të arsimit 9-vjeçar dhe atij të mesëm në Durrës.

Vaksinimi është duke u kryer në ambientet e shkollës së muzikës  “Jan Kukuzeli”, në mjediset e së cilës rreth ores 15:00 mbërriti edhe kryeministri Edi Rama.

Disa prej mësuesve të cilët u vaksinuan më parë, u shprehën se nuk kanë ndjerë asnjë shqetësim pas marrjes së vaksinës dhe se nuk patën aspak frikë për ta bërë.

“Duke parë Anglinë e cila ka bërë me miliona vaksina dhe po vazhdon akoma të bëjë  nuk e kisha me frikë. Vendimin për të bërë vaksinën, nuk mund të them që e bëra me dëshirë por e bëra pa hezitim,” u shpreh njëra nga mësueset.

Gjithashtu njëri nga profesorët u shpreh se “Profesioni  jonë është  pak i rrezikuar, dhe prandaj jam më i qetë dhe i lumtur që e bëra, dhe periudha në vazhdim do të jetë një heqje ankthi për ne.”

Në ditën e parë të vaksinimit është planifikuar vaksinimi i rreth 220 mësuesve nga shkollat e zonës së Shkozetit, Rrashbulllit dhe qytetit të Durrësit.