Vetëm pak muaj pasi u rikthye në vendin e tij pranë “Sfinksit” në Durrës, skulptura e njohur “Peshkatari” është dëmtuar sërish.
Burime zyrtare bëjnë të ditur për DurrësLajm, se mbrëmjen e djeshme, vepra e artistit Dylber Neziraj, e cila ishte restauruar dhe vendosur me kujdes nga Agjencia e Parqeve Urbane, ka pësuar dëmtime sërish.
“Peshkatari” është vendosur për herë të parë në këtë zonë në vitin 2016 dhe është kthyer në një simbol të dashur për qytetin, por dhe një ndër skulpturat e parkut më të fotografuar të qytetit bregdetar. Për drejtorin e Agjencisë së Parqeve Urbane, Alton Kasembi, akti i fundit është mjaft i shemtuar dhe i turpshëm.
“Nuk e di pse vandalizohen herë pas here veprat e artit të vendosura në hapësira publike të Durrësit nga persona të papërgjegjshëm, në një kohë kur ne po tregojmë kujdesin maksimal për ruajtjen dhe konservimin e tyre, sidomos tani që Durrësi është kthyer në një destinacion të preferuar për turistët nga e gjithë bota,” tha Kasembi.



“Peshkatari” ka një vlerë të madhe kulturore dhe historike për Durrësin, dhe është një kujtim i rëndësishëm i artit publik të qytetit.