Kryeministri Edi Rama së bashku me delegacioni shqiptar është pritur në Kompleksin Presidencial turk me ceremoni zyrtare nga presidenti Rexhep Tajip Erdogan. 

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e ka pritur Ramën me një ceremoni në Ankara. Me kuaj, limuzina e nën tingujt e Himnit tonë Kombëtar, Erdogan e mirëpriti kreun e qeverisë. Pasi dy liderët shtrënguan duart, Erdogan iu drejtua me humor Ramës duke thënë: A nuk ke ftohtë?! 

Sipas një njoftimi të Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës turke, në kuadër të vizitës, në Ankara do të zhvillohet takimi i parë i Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Turqi-Shqipëri, nën kryesimin e Erdoganit dhe Ramës. 

Në mbledhjen e Këshillit do të shqyrtohen të gjitha aspektet e marrëdhënieve Turqi- Shqipëri dhe do të diskutohen hapat që mund të ndërmerren për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh. 

Në kuadër të takimit është planifikuar edhe nënshkrimi i marrëveshjeve ligjore që do të japin kontribut të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve.