Kryeministri Edi Rama ka shpërthyer në sulme ndaj gazetarëve jashtë sallës së Kuvendit, kur u pyet mbi çështjen Tahiri dhe vendimin e mazhorancës për të mos pranuar kërkesën e Prokurorisë për Krime të Rënda, që kërkonte autorizim për arrestimin e ish-ministrit Saimir Tahiri.
“Përpara se të bëni pyetje kaq pa vend, shko lexo dhe shko kupto cili është roli i Kuvendit dhe Këshillit të Mandateve. Nëse do ishte kështu siç thua ti, s’do vinte fare këtu, por do shkonte menjëherë në gjykatë. E kuptoni që pyetjet tuaja vijnë nga padituria, jeni kaq të paditur…”, tha Rama.
Kryeministri Rama u tha gazetarëve se ata nuk kishin marrë vesh ende se imuniteti i deputetëve ishte hequr dhe se në çështjen Tahiri nuk bëhej fjalë për imunitetin, por për arrestin me burg.
“S’keni si ta kuptoni ju për fatkeqësinë tuaj, sepse as nuk lexoni, as nuk përpiqeni të thelloheni në ato që lexoni, as doni të dëgjoni për çfarë bëhet fjalë… Ju duhet t’i thërrisni mendjes dhe duhet të kuptoni”, vazhdoi Kryeministri Edi Rama.
Shikoni videon e plotë me deklaratën e Ramës, ndërhyrjet e gazetarëve dhe përgjigjet e kryeministrit.





