Një aeroplan i Forcave Ajrore Polake u rrëzua sot në aeroportin Gdynia-Kosaków, në skajin verior të vendit. Mësohet se nga ky aksident ka humbur jetën piloti.

“Piloti i M-346 Bielik që u rrëzua në aeroportin Gdynia-Kosakovo mbeti i vrarë në vend”, njoftoi gjenerallejtënant Ireneus Novak, duke theksuar se piloti nuk ka tentuar të hidhet.

Avioni M-346 u rrëzua ndërsa piloti po përpiqej për manovra të rrezikshme përpara një demonstrate në të cilën ai do të merrte pjesë. Momenti i përplasjes është regjistruar në disa video që panë avionin teksa rrëzohej. M-346 humbet papritur lartësinë dhe përplaset në tokë, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm.