Rruga “Mujo Ulqinaku” është një nga akset më të frekuentuara të Durrësit, por mbrëmjen e sotme është në terr.

Siç duket nga videot që janë dërguar në redaksinë e “DurrësLajm”, aksi në fjalë është në errësirë të plotë dhe ndriçohet vetëm nga dritat e automjeteve dhe reklamat e bizneseve. Po e njëjta situatë regjistrohet edhe në akset dytësore të kësaj lagjeje.

Ndriçimi publik është jashtë funksionit mbrëmjen e sotme në këtë aks, duke krijuar shqetësim te qytetarët që e përshkojnë atë, si dhe te komuniteti i zonës.

Sipas qytetarëve, sa herë regjistrohen ditë me reshje, në këtë aks ndriçimi publik nuk është funksional.

Kujtojmë se në këtë rrugë, më shumë se një muaj më parë humbi jetën 43-vjeçari Bardhyl Kaloshi, të cilin e zuri korenti teksa preku një nga shtyllat e ndriçimit publik. Atë ditë qyteti bregdetar regjistroi reshje të dendura shiu që shkaktuan përmbytje të shumë rrugëve dhe lagjeve të Durrësit.