Përmirësimi i motit dhe ulja e nivelit të lumit Erzen ka sjellë edhe kthimin në shtëpi të banorëve të evakuuar, në qytetin e Shijakut. Por, kjo i ka vënë ata edhe përballë dëmeve që ujrat u kanë shkaktuar. Një pjesë e tyre, ata më të rrezikuarit, kishin më shumë se 48 orë që kishin lënë shtëpitë e tyre në mëshirë të ujit.
Në ndihmë të njerëzve atje janë vënë mjetet dhe efektivat e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, të cilët janë duke asistuar kryesisht në largimin e inerteve dhe të baltës nga banesat. Në shtëpi, njerëzit kanë gjetur gjithçka të shkatërruar thuajse plotësisht.
Reshjet e ditëve të fundit sollën fryrjen e lumit Erzen dhe daljen e tij nga shtrati, duke përmbytur një numër banesash përgjatë tij në qytetin e Shijakut, si edhe zona të tjera fushore nga Sukthi deri në Katundin e Ri.
K.H.





