BELGJIKË, 22 shkurt 2013 – Një video shokuese është shfaqur mbrëmë në një program televiziv në gjuhën flaminge në televizionin belg Vrt. Reportazhi i programit “Panorama” tregonte skenën e rrahjes për vdekje të një të burgosuri nga agjentë policie të pajisur me shkopinj gome dhe skafandra. Skena e filmuar nga kamera e qelisë është regjistruar në një komisariat policie.

Viktima është Jonathan Jacob, 26 vjeç nga Affligem, i cili ishte ndaluar nga policia në Mortsel (provincë e Anversës) më 6 janar 2010. I riu ishte ndaluar, pasi ishte nën efektin e anfetaminës dhe shfaqte sjellje agresive. Një mjek kishte rekomanduar shtrimin e Jacob në një spital psikiatrik, por drejtori i spitalit kishte refuzuar dhe i riu u shoqërua në qeli.

Në imazhet e videos shihet Jacob i zhveshur, duke qarë e ulëritur. Policia e Mortselit i kërkoi ndihmë ekipit special të Anversës. Në video shihet qartë se forcat speciale e neutralizojnë në një cep të qelisë dhe e rrahin pa mëshirë. Në mur shihen qartë gjurmët e gjakut. Të riut i bëhet edhe një injeksion, por në fund të filmimit, kur mjeku hyn në qeli, Jacob-it i ka pushuar zemra.

Autopsia arriti në përfundimin se shkak i vdekjes ishte hemoragjia e brendshme e shkaktuar nga goditjet e forta të policëve. Një agjent i policisë u ndoq penalisht për goditjet e dhëna të ndaluarit, ndërkohë që mjeku i spitalit psikiatrik për mosveprim nga pakujdesia.

/m.b Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/