Lagjja 13 e Durrësit është kthyer në fantazëm. Blloqe të tëra banimi janë tërësisht të boshatisura dhe pa frymë njeriu. Kjo zonë në Durrës mbetet një ndër më të prekurat nga tërmeti i 26 nëntorit.
Ndonëse ka kaluar një muaj e gjysmë prej kohës së tërmetit, verifikimi i dëmeve ende nuk është bërë në të gjitha banesat e dëmtuara.
Edhe aty ku ka banorë e banesa të padëmtura rreziku mbetet real për shkak të frikës që ekziston si rezultat i shtëpive të dëmtuara që janë fare pranë me objektet e tjerë.
Banorët e kësaj zone shprehen se bashkia është shumë e vonuar me procesin e verifikimit të dëmeve dhe identifikimin e banesave të dëmtuara.
Disa prej tyre thonë se pranë banesave të tyre ndodhen godina të dëmtuara që në çdo moment u vënë në rrezik jetën, pasi rrezikojnë që të shemben. Nga ana tjetër ka banorë që ende janë në kërkim të një përgjigje zyrtare për gjendjen në të cilat ndodhen shtëpitë e tyre.
Në zonën e Plazhit të Durrësit është e vështirë që të gjesh pallate të padëmtuara. Pjesa më e madhe e objekteve kanë pësuar dëme të konsiderueshme nga tërmeti ndërkohë që ende nuk ka nisur puna për riparimin e dëmtimeve në ato objekte që mund të riparohen dhe janë klasifikuara si të tilla.
K.H.





