Policia e Shtetit ka publikuar pamjet nga kamioni ku ishte fshehur sasi rekord kokaine në Portin e Durrësit, me vlerë tregu rreth 180 milion euro.
Në kuadër të operacionit të koduar "Last Snow", u bë i mundur kapja dhe sekuestrimi i 613 kilogramë e 350 gramë lënde narkotike e dyshuar kokainë.
Lënda narkotike e nsiur me kontenier nga Kolumbia duke kaluar tranzit përmes Italisë, në Maltë e më pas me anije ka mbërritur në Portin e Durrësit në Shqipëri, në datën 19 shkurt 2018, ishte e fshehur në kontenier me dysheme të dyfishtë, të ngarkuar me banane.
"DurrësLajm" mëson se kontenieri ka mbërritur me anijen “Max Venture” më datë 19 shkurt në portin e Durrësit, i transportuar nga kompania Alb Durrazo. Anija me flamur të Maltës është regjistruar në porti me emrin “La Valeta”.
Kontenieri i mbërritur në Portin e Durrësit, u mbajt nën vëzhgim të pandërprerë deri sa mbërriti në magazinat e firmës, nga strukturat e Policisë së Shtetit.
Në pranga përfunduan Donaldo Lushaj nga Tropoja dhe Armando Pezaku nga Durrësi, të dy 25 vjeç, ndërsa Arbër Cekaj, administratori i firmës ‘Arbi-Garden’ shpk me qendër në Manzë, është shpallur në kërkim.





