Një video e publikuar sot nga “Panorama Online”, tregon se sa të lira dhe të ndershme ishin në të vërtetë zgjedhjet që u mbajtën në Durrës për të votuar delegatët e Kongresit të 19 marsit.

Nga pamjet e publikuara, duket qartë sesi socialistët nuk futen në dhomat e fshehta për të votuar, por shkojnë grupe-grupe në pjesën e pasme të sallës dhe plotësojnë fletët e votimit bashkarisht me “emrat e duhur”.

Pavarësisht vendosjes së 7 qendrave të votimit për 3400 anëtarë të Partisë Socialiste në këtë qytet, të cilët u thirrën për të zgjedhur 33 delegatët e Kongresit, atyre nuk u mjaftojnë ato, dhe kanë preferuar dhe janë orientuar të votojnë jashtë qendrave të fshehta brenda ambienteve të Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu”.