Situata në rrugët e Los Anxhelosit mbetet e tensionuar pas tre ditësh trazirash të shkaktuara nga protestat kundër arrestimeve masive të emigrantëve të parregullt nga administrata e presidentit Donald Trump.
Demonstratat vazhdojnë me intensitet, pavarësisht përdorimit të gazit lotsjellës dhe plumbave plastikë nga Garda Kombëtare, ndërkohë që rreth 500 marinsa janë vënë në gatishmëri për të ndërhyrë në rast nevoje.
Garda Kombëtare u vendos përreth ndërtesave qeveritare, ndërkohë që policia përplaset me protestuesit në disa pjesë të qytetit, në kundërshtim të operacioneve të shërbimit federal të imigracionit (ICE), i cili ka ndërmarrë një seri bastisjesh për arrestimin e emigrantëve pa dokumente në zonën e Los Anxhelosit.
Vendimi i Donald Trump për të dërguar Gardën Kombëtare si përgjigje ndaj protestave kundër politikës së tij të ashpër ndaj emigracionit ka shkaktuar reagime të shumta.
Në një postim në rrjetin social X, guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom kritikoi ashpër presidentin dhe kërkoi përfundimin e menjëhershëm të misionit të Gardës Kombëtare.
“Donald Trump ka krijuar një krizë dhe po e përshkallëzon situatën. Nëse ai nuk është në gjendje ta zgjidhë, do ta zgjidhim ne,” deklaroi ai. “Trump duhet të tërhiqet. Duhet të japë dorëheqjen.”
Duke iu drejtuar personave të përfshirë në veprime të dhunshme, Newsom theksoi: “Aktet e dhunshme nuk do të tolerohen. Do të arrestoheni. Do të ndiqeni penalisht. Nuk po dëmtoni vetëm ndërtesa dhe prona – po shkatërroni themelet e demokracisë sonë. Demokracia është në rrezik. Donald Trump po ju përdor si justifikim për të militarizuar qytetin dhe për të shmangur proceset demokratike.”
Ai shtoi se qëllimi është të mbrohen protestuesit paqësorë dhe njëkohësisht të sigurohet mbështetje për forcat e rendit që ndodhen në terren.
Pavarësisht pranisë së Gardës Kombëtare, protestat kanë mbetur të fuqishme dhe të shumta në pjesëmarrje. Në përpjekje për të shpërndarë protestuesit që kishin bllokuar një kompleks federal dhe autostradën 101, autoritetet përdorën gaz lotsjellës dhe plumba plastikë. Në disa zona, janë djegur automjete vetëdrejtuese.
Policia e Los Anxhelosit njoftoi se ka shpallur “mbledhje të paligjshme” në qendër të qytetit dhe se ka kryer disa arrestime. Forcat e policisë janë parë duke patrulluar me kuaj në rrugët kryesore, ndërkohë që raportojnë se janë goditur nga protestuesit me copa çimentoje, shishe dhe sende të tjera.
Sipas pamjeve filmike, disa automjete të kompanisë së taksive vetëdrejtuese Waymo janë djegur në një nga rrugët kryesore të qytetit.
Protestuesit dëgjoheshin të brohorisnin “turp t’ju vijë” ndaj forcave të rendit, ndërsa disa prej tyre hodhën sende në drejtim të policëve. Shumë protestues mbanin flamuj të Meksikës dhe pankarta me slogane kundër politikave të emigracionit të qeverisë amerikane.
Kreu i policisë së Los Anxhelosit, Jim McDonnell, deklaroi se forcat policore janë “tejkaluar” nga numri i protestuesve. Ai shtoi se në mesin e protestuesve ka grupe që marrin pjesë me qëllim nxitjen e dhunës dhe trazirave. Megjithatë, ai hodhi poshtë akuzat nga administrata Trump se policia lokale nuk ka bashkëpunuar me autoritetet federale gjatë protestave që nisën të premten, pas bastisjeve të ICE në qytet.





