Skena lufte në Kroaci. Në përfundim të ndeshjes Hajduk Split –Dinamo Zagreb, e cila u mbyll me fitoren e miqve 0-1 shpërtheu dhuna në tribuna dhe në fushë.

Ultrasit e Hajduk të Splitit zbritën nga tribuna në fushë duke shkaktuar panik, ndërsa lojtarët e të dyja skuadrave u larguan me shpejtësi drejt dhomave të zhveshjes.

Më pas huliganët e Hajdukut u drejtuan drejt tribunës jugperëndimore, ku ishin vendosur tifogrupi Bad Blue Boys i Dinamos.

Megjithatë, ndërhyrja e shpejtë e Policisë parandaloi një përplasje të dhunshme mes dy tifogrupeve.

Tifozët vendas u kthyen në tribunën e tyre dhe më pas sulmuan forcat e policisë me karrige dhe flakadanë. Madje në një moment ata hodhën edhe tavolinën që shërben si bar.

Por traziart nuk përfunduan këtu, përplasjet mes tifogrupit të Hajdukut dhe Policisë u zhvendosën në rrugët e qytetit.

Departamenti i Policisë Split-Dalmaci njofto se grupe të mëdha huliganësh kanë vazhduar të sulmojnë policët në rrugët përreth stadiumit.

Huliganët goditën me gurë shishe, flakadanë dhe sende të tjera forcat e Policisë.

Mediat kroate raportojnë se të paktën tre policë janë transportuar në spitalin e Splitit, ku kanë marrë ndihmën mjekësore, ndërsa janë arrestuar 51 huliganë.

Situata u qetësua rreth orës 22:30 dhe policia vazhdoi të monitorojë zonat publike gjatë natës për të parandaluar rigrupimin e huliganëve.

Për të shmangur përplasjet e mundshme gjatë rrugës, Policia mbajti në stadium futbollistët dhe tifozët e Dinamos deri në orën 23:00 dhe më pas ata u nisur për në Zagreb.

Sa i përket ndeshjes, Dinamo fitoi 1-0 dhe do të përballet me Rijekën në finalen e edicionit të 33-të të Kupës së Kroacisë.