Shkrimtari Stefan Çapaliku ka promovuar në Durrës një ditë më parë librin e tij më të fundit “Mbyllur për pushime”.
Gjatë aktivitetit ku merrnin pjesë miq dhe artdashës durrsakë, romani më i ri i dramaturgut u promovua dhe diskutua nën moderimin e regjisores, Driada Dervishi.
“Pse një regjisore teatri është në krah të një shkrimtari? Arsyeja është e thjeshtë e domethënëse, sepse ky shkrimtar ka 30 drama që kanë bërë dhe bëjnë historinë e re të teatrit post-komunist.”, u shpreh Dervishi gjatë prezantimit.
Në këtë libër, autori ka trajtuar ngjarje të vitit të fundit të Luftës së Dytë Botërore. Këto ngjarje zhvillohen në disa qytete sipas shkrimtarit Çapaliku, në Beograd, Strazburg, Tiranë, Shkodër, Vienë etj..
Çapaliku thotë se romani edhe pse e përdor historinë si sfond, nuk është historik, por ndalet në fatet e njerëzve që janë të detyruar të jetojnë në kontekste të gabuara.
“Romani “Mbyllur për pushime” i vendos ngjarjet në vitin e fundit të Luftës së Dytë Botërore, nga kapitullimi i Italisë deri me ardhjen në pushtet të komunistëve dhe i zhvillon ngjaret në disa qytete. Nis në Beograd, shkon në Strazburg, në Tiranë, në Shkodër, dhe sërish niset në Kosovë, në Serbi dhe në Vienë. Ka një gjeografi të përcaktuar që pak a shumë përkon me gjeografinë e njerëzve të cilët ikin nga Shqipëria. Romani, edhe pse e përdor historinë si një sfond nuk është një roman historik, merret me fatet e njerëzve, të cilët kanë qenë të shtrënguar të jetojnë në një kohë të vështirë, të mbrapshtë.”
Sipas shkrimtarit, lumturia është një ndjenjë që jetohet dhe nuk ka nevojë për pasqyrim letrar, ndaj “Mbyllur me pushime” vjen si një roman kur historia rrëfehet nga humbësit dhe jo nga fitimtarët.