Policia Rrugore në Durrës ka goditur ditën e sotme një rast të mitdhënies, duke arrestuar një person i cili tentoi të korruptonte me 2000 lekë të rinj një efektiv të Qarkullimit.
Ai është shtetasi Lavdimir Qose, 47 vjeç, banues në Krutje të Lushnjës, i cili u prangos në Sukth.
Sipas policisë, 47-vjeçari po drejtonte mjetin pa taksa dhe pa certifikatë të Kontrollit Teknik, dhe i ofroi ryshfet punonjësit të Policisë Rrugore për t’iu shmangur masës administrative.
“Arrestimi i tij u bë pasi më datë 08.09.2016, në Sukth, është ndaluar nga punonjësit e Qarkullimit Rrugor për shkelje të rregullave të Qarkullimit dhe ka tentuar të korruptojë punonjësin e Policisë, duke i ofruar shumën 2.000 lekë, pasi drejtonte automjetin pa certifikatën e Kontrollit Teknik dhe pa taksa”, njofton policia e Durrësit.
Policia ka shpërndarë edhe pamjet, ku vërehet momenti kur shoferi i ka vendosur edhe shumën e parave, të prerjes 2000 mijë lekë, mbi dokumentet e mjetit që po i jep për verifikim policit rrugor.





