Sevilla ka dënuar ‘gjestin e turpshëm’ të një tifozi të Rayo Vallecano-s, i cili e goditi nga të pasmet futbollistin Lucas Ocampos gjatë ndeshjes së tyre në La Liga të hënën mbrëma.
Në fund të pjesës së parë, Ocampos po kryente një rivënie anësore, kur një tifoz i Rayo-s zgjati dorën dhe u duk se kishte futur gishtin tregues tek të pasmet e futbollistit.
Anësori argjentinas u kthye për t’u kundërvënë ndaj tifozit dhe më pas thirri arbitrin Hernandez Maeso në fund, teksa ndeshja u ndërpre për disa minuta.
Pas ndeshjes, Ocampos kërkoi dënimin e tifozit.
“La Liga duhet ta marrë seriozisht këtë incident, siç vepron me racizmin. Ekziston gjithmonë një budalla. Nëse kjo do të ndodhte në futbollin e grave, ju e dini se çfarë impakti do të kishte. Shpresoj që do ta dënojnë atë budalla, në mënyrë që të mos njolloset imazhi i tifozëve të Rayos”, përfundoi ish-sulmuesi i Milanit.





