Mbi 50 kryefamiljarë  të lagjes “Erzen” në Shijak, kanë nisur të rikthehen në banesat e tyre, të cilat i braktisën mesnatën e së mërkurës. Por ajo çfarë kanë gjetur është një tmerr i vërtetë. Mbi 50 banesa u mbuluan tërësisht nga uji, që arriti mbi tre metra lartësi deri në tarracë, duke bërë që çdo gjë që kanë pasur ta rrëmbejë uji, dhe në vend të orendive, të mbetet llumi i lumit Erzen.

Banorët tregojnë se si janë larguar me skafet e policisë, pak minuta para se shtëpitë e tyre të fundoseshin tërësisht në ujë.

Pamjet janë të frikshme për çdo familje që investuan jetën e tij në banesë, dhe brenda pak minutash banesat e tyre janë shkatërruar.

Janë rikthyer në banesa, por rikthimi është më i dhimbshëm se kurrë. Në ndihmë të tyre janë të afërmit dhe zjarrfikësit e Shijakut që po i ndihmojnë për të nxjerrë tonelata balte që kanë zënë vend brenda shtëpive. Edhe grupet e verifikimit me blloqe në dorë po mbajnë evidencat e dëmeve, ndërsa shpresa se banorët do të dëmshpërblehen është më e zbehtë se kurrë.

K.H.