Vazhdon furtuna në Hipotekën e Durrësit me shkarkime dhe vërejtje për punonjësit.
Pas rastit të shkarkimit të drejtorit të ZRVPP Durrës dhe disa punonjësve të tjerë në muajin janar, që u filmua me zë e figurë teksa i tha një qytetari që ishte ankuar “shko të ta zgjidhë problemin Rama”, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka njoftuar të tjera shkarkime nga puna.
Në një deklaratë për mediat këtë të mërkurë, ministrja njoftoi se pas 15 masave disiplinore të marra më herët, kontrolli i bërë së fundi ka nxjerrë në pah një sërë problemesh. Ajo ka kërkuar largimin nga puna për 6 specialistë të zyrës, dhe vërejtje me shkrim për 10 juristë e hartografë, duke e çuar në total 31 numrin e masave të marra në këtë drejtori.
“Bazuar në informacionet e marra mbi praktika abuzive, Task Force ka ushtruar kontroll tjetër në këtë zyrë dhe nga praktikat e monitoruara rezultojnë aplikime të trajtuara jashtë afateve, sistemi online nuk pasqyron situatën aktuale, është gjendur se ai nuk është administruar dhe përdorur në të gjitha fazat e tij, nuk është vepruar në përputhje me kërkesat për arkivimin e teknikave në zyrat e Hipotekës duke bërë referenca të shërbimeve të paarkivuara e duke sjellë pasoja në origjinën e pasurisë. Pas kësaj u vendos largimi për 6 specialistë të zyrës dhe vërejtje më shkrim për 10 të tjerë juristë dhe hartografë, duke e çuar në total numrin e masave në 31”, tha misnitrja Gjonaj.





