“DurrësLajm” sjell pamje nga vendi ku ndodhi mbrëmjen e shkuar shpërthimi me lëndë plasëse në një banesë në lagjen nr.14.
Lënda plasëse është vendosur rreth orës 21:30 në rrethimin e oborrit të banesës së Skënder Hoxhës, i cili është kushëriri i Nuredin Dumanit. Policia e Durrësit njoftoi se nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar apo dëme materiale.
Dumani është shpallur në kërkim policor si ekzekutori i Bujar Çelës, krim të ndodhur në Brandashesh, më 17 shtator dhe disa ngjarje të tjera kriminale. 37-vjeçari akuzohet edhe se ka bashkëpunuar me Talo Çelën, vëllain e Bujar Çelës, për një vrasje të dyfishtë të ndodhur në Durrës, më herët gjatë vitit.
Nuredin Dumani rezulton i shpallur në kërkim dhe për vrasjen e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia më 27 prill 2020 si dhe dy personave të tjerë, Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit më 2 mars 2020, në të njëjtin vend, tek tregu i makinave.
“Rreth orës 21:30, në lagjen nr.14, në rrethimin e oborrit të shtëpisë së shtetasit S.H., 36 vjeç, ka shpërthyer një sasi e vogël dyshohet lëndë plasëse, nga e cila nuk ka as të lënduar dhe as dëme materiale. Menjëherë në vendngjarje kanë shkruar forcat e Policisë dhe grupi hetimor ku vijon puna për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit”, njoftoi policia mbrëmjen e së hënës, teksa ende nuk ka një autor të ndaluar për ngjarjen.





