Një video e filmuar një vit më parë e që qarkulloi kohët e fundit në median sociale i kushtoi pezullimin nga puna mësueses së gjuhë letërsisë Rezarta Shehi në shkollën e mesme “Alush Bardhi” në Farkë të Madhe.
Në pamje të parë duket sikur mësuesja e dhunon nxënësen 16-vjeçare duke e kapur prej flokësh, por nxënësit e saj të klasës kujdestare me bindje iu thanë gazetarëve se mësuesja kujdestare nuk e kishte seriozisht por po bënte shaka.
Pas lojës që krijon jo pak habi për mënyrën sesi mësuesja dhe nxënësja zgjedhin të argëtohen, në fund të videos të dyja duken të qeshura.
Nxënësit e Rezarta Shehit këtë të hënë kanë bojkotuar mësimin në shenjë proteste duke kërkuar rikthimin e mësueses kujdestare në klasë.
Fajtor për publikimin e videos bëjnë një ish-nxënës të gjimnazit “Alush Bardhi” i cili e xhiroi videon përpara një viti dhe për arsye të panjohura e publikoi tani në mediat sociale.
Edhe prindërit kërkojnë që drejtoria e shkollës dhe ajo arsimore të pezullojnë masën për mësuesen Rezarta Shehi. Mësuesja Rezarta Shehi ishte ne oborrin e shkollës se mesme në Farkë ku mori mbështetje dhe solidaritet nga nxënësit e saj.