Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka rënë pak më parë në katin e parë të një pallati në zonën e Spitallës, pranë parkut të autobusëve në Durrës. DurrësLajm mëson se flakët kanë nisur në një garazh ku ndodheshin pjesë këmbimi automjetesh dhe janë përhapur me shpejtësi, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme.

Për shkak të intensitetit të zjarrit dhe materialeve të djegshme, është kërkuar ndërhyrja e fadromës dhe përdorimi i matrapikëve për të mundësuar shuarjen e flakëve në thellësi të strukturës.

Aktualisht në vendngjarje ndodhen pesë mjete zjarrfikëse, ndërsa e fundit ka mbërritur pak çaste më parë. Megjithatë, ndërhyrja për nga brenda objektit paraqitet e pamundur për shkak të terrenit të vështirë dhe rrezikut që paraqet struktura e dëmtuar.

Policia ndodhet në terren, deri tani nuk raportohen të lënduar, por dëmet materiale pritet të jenë të mëdha. Grupi hetimor ka nisur punën për të zbardhur shkaqet e zjarrit.