Politika e Maqedonisë së Veriut vijon të tronditet nga përgjimet e fundit, të publikuara nga mediat italiane, që dëshmojnë një korrupsion gjigant te krerët e lartë të shtetit fqinj.
Prestigjiozja italiane “La Verita” është hapur sot me titullin “Rasti dridh qeverinë në Shkup”, duke publikuar një material të ri në lidhje me rastin “Reket”.
Në videot e reja të publikuara nga italianët, dëgjohet biseda mes Boki 13 dhe Orce Kamçev, në të cilën Bojan kërkon shpjegim pse paratë janë prej 50 eurove dhe jo më shumë, duke shprehur dyshimin se bëhet fjalë për ndonjë mashtrim.
Aty Kamçev përgjigjet se në bankë nuk ka mundur të gjejë kartëmonedha më të mëdha.
Boki gjatë bisedës me Kamçev kërkon edhe një takim, ndërsa gjatë asaj bisede dëgjohet edhe një zë gruaje, e cila i thotë Kamçevit “mos u brengos, çdo gjë do të jetë në rregull!”.
Një ditë më parë kjo media italiane tregoi përmes pamjeve skemën e zhvatjes së miliona eurove. Duke skanuar rrugën që po ndjek Maqedonia e Veriut për t’u bërë pjesë e strukturave të Bashkimit Evropian, “La Verita” tregon të vërtetën që sipas saj, politikanët në vendni fqinj janë përdorur dhe përdoren si “marioneta” të mekanizmave ndërkombëtarë.
Në materialin e publikuar dje, shiheshin mijëra euro të paketuara me specifikime të shënuara me dorë në fleta, ndërsa dëgjohej edhe një pjesë nga biseda mes Orce Kamçevit dhe Boki 13, në të cilën Boki i tregonte Kamçevit se nga orët e vona të së hënës deri të martën do të lirohet nga paraburgimi, ndërsa përmendej edhe prokurorja speciale publike, Katica Janeva.