Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu do të merret në pyetje për rastin “Babale”. Veliu do të paraqitet sot në orën 13:00 në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit do të japë shpjegime për deklaratat e Fredi Alizotit, i cili ka dalë në përgjime dhe po pretendohet se është personi që thotë se është shtirur në telefon si Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Në një video të publikuar nga deputeti i PD Ervin Salianji gjatë javës së kaluar, Fredi Alizoti përmendi Ardi Veliun. Në video-regjistrimin për të cilën Alizoti nuk kishte dijeni, shprehej se ishte shantazhuar që të shtirej dhe të pranonte se ishte zëri i tij në telefonatën me Albert Veliun apo që njihet si “Babalja”, dhe jo zëri i Agron Xhafajt.
Fredi Alizoti tha se Ardi Veliu e mori me makinën e tij zyrtare dhe e çoi përpara Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku atje pretendohet se e priste deputeti socialist Taulant Balla.





