Greqi, 10 prill 2014 – Publikohen pamjet shokuese të filmuara nga kamerat e sigurisë në burgun e Nigritas, në qelinë e të cilit i dënuari shqiptar Ilia Kareli ndërroi jetë si pasojë e torturave të bëra nga ana e gardianëve. Pamjet filmike të publikuara nga Kathemerini.gr pasqyrojnë momentin e mbërritjes së Karelit në burg, dy orë e gjysëm të tmerrit të torturave në dhomën “frigorifer” të burgut si dhe vendosjen në qelinë ku ndërroi jetë.

Nga këto pamje del në pah se dhuna vdekjeprurëse ndaj Karelit ka nisur që në burgun e Malandrinos. Kjo pasi, në videon e publikuar menjëherë pas mbërritjes së Karelit në burgun Nigritas, 42-vjeçari është fotografuar nga një gardian, ku është fiksuar syri i nxirë dhe trupi i mavijosur. Mavijosjet dhe të nxirrat në trupin e Karelit janë shenja të një dhune të qartë, madje edhe djegiet në duart që janë deklaruar se janë kryer me elektroshok.

Ajo çka bie në sy nga pamjet e kamerave të sigurisë, është fakti që transferimi i Karelit dhe procedurat e kryera ndaj tij janë bërë në prani të njerëzve të shumtë, si civil edhe gardian. Në video duket edhe drejtori i burgut të Nigritas, i cili është në mesin e gardianëve që shoqërojnë Karelin përpara se ai të dhunohej për vdekje nga 15 prej tyre. Madje vetë drejtorit i burgut i bën me shenjë gardianëve për ta futur fillimisht Karelin në dhomën e torturave. Më tutje dalin disa oficerë trupmëdhenj, të cilët futen në dhomën e torturave.
 
Kamerat e sigurisë kanë fiksuar të gjitha lëvizjet në koridor të gardianëve të cilët futen dhe dalin nga “dhoma e frigoriferit”. Dyshohet se është shfrytëzuar pikërisht kjo dhomë për të kryer torturat makabre ndaj Karelit, për faktin se nuk monitorohet nga kamerat.
 
Pas 2 orë e gjysmë goditjesh e torturash ndaj të dënuarit shqiptar, tortura të cilat i shkaktuan vdekjen vetëm disa orë më pas, Ilia Kareli është transferuar në qeli. Kur ora shënon 18 e 30 minuta shfaqen torturuesit të cilët tërheqin zvarrë Karelin për ta çuar në qelinë e tij. Pamjet janë të tmerrshme. Dhoma e torturave dhe qelia ndodhen në të njëjtin koridor, dhe në momentin e transferimit në qeli, duket edhe pafuqia e Karelit për të ecur vetë në këmbë, teksa mbahet nga gardianët, pa kanatjeren e zezë me të cilën erdhi në burg dhe me pantallonat që janë gati duke i rënë.

Kareli më tej është lënë në qeli i zhveshur. Pas rreth 1 ore, në 16 e 25 minuta një gardian hyn në qeli për të sjellë ushqimin, teksa Kareli dergjet i shtrirë dhe i palëvizur, ushqim të cilin i dënuari shqiptar edhe pse e kishte kërkuar, nuk mundi ta shijonte për shkak se ndërroi jetë nga dhuna makabere ndaj tij. Në fund, në mesnatë, në kamera shfaqet një barelë e cila hyn në qelinë e Karelit, për të marrë trupin e pajetë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/