Ish-kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar për videon e publikuar një ditë më parë në mediat në lidhje me takimin që ka pasur me kreun e grupit parlamentar të PS Taulant Ballën.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Basha deklaron se videoja e publikuara një ditë më parë është një montazh qesharak, duke e cilësuar këtë lajm si shpifje dhe trillim.

Ai është shprehur se kjo video është bërë me qëllim për t’i fryrë përçarjes së demokratëve, që sipas tij i bëjnë nder vetëm kryeministrit Edi Rama.

“Montazhet qesharake, shpifjet dhe trillimet që bëhen për t’i fryrë përçarjes së demokratëve janë shërbimi më i mirë për Ramën. Nuk mbahen dot me sajesat e minutës së fundit, gënjeshtrat e dala boje para gjithë botës”, shkruan Basha.

Ditën e djeshme është publikuar një video ku shfaqet ish-kryetari i PD, Lulzim Basha dhe kryetari i grupit parlamentar i PS, Taulant Balla duke u futur në një banesë.

Sipas medias ku është publikuar videoja, Balla dhe Basha kanë zhvilluar një takim të fshehtë në një apartament në Tiranë, në 3 dhjetor të 2022.