Gjykata e Tiranës ka vendosur të pushojë një padi penale për ‘riprodhim pa të drejtë të veprës së tjetrit’ të ngritur ndaj sopranos me famë botërore, Inva Mula.

Sopranoja u padit nga Fatmir Çepani, kameramani që fiksoi në celuloid momentet e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, më 20 shkurt 1991. Përmes kësaj padie, kameramani Çepani pretendonte se i është shkelur e drejta e autorit nga ana e Mulës.

Ai kërkonte që sopranoja e famshme të mbante përgjegjësi penale për shkeljen e të drejtave të autorit dhe po ashtu dëmshpërblimin e tij në më shumë se 30 mijë euro, si dëm i shkaktuar nga riprodhimi e shpërndarja në publik e pamjeve të regjistruara prej tij.

Sipas Çepanit, sekuencat e regjistruara prej tij ishin riprodhuar në një klip muzikor të këngës “Dhuratë për ditëlindje” të sopranos Mula. Para se t’i drejtohej gjykatës, i dëmtuari ka kërkuar ta zgjidhë konfliktin me marrëveshje, por nuk ka marrë asnjë përgjigje nga sopranoja.