Një ditë pas bllokimit për dy orë të katër akseve kryesore të qarkullimit në vend, ndër të tjera kreu i grupit parlametar të LSI-së Petrit Vasili deklaroi se shoqëria shqiptare është rizgjuar dhe opozita do ta ndjekë me vendosmëri dhe pa asnjë kompleks, duke ironizuar edhe debatet në Kuvend dhe videokonferencën e Kryeministrit me banorët e Kukësit.
"Lajmi më i madh është se ndërgjegjia shoqërore shqiptare është rizgjuar. Detyra e opozitës është ta ndjekë me konseguencë këtë rrugë që e shtruan dhe hapën qytetarët për t'iu kundërvënë qeverisjes më të shëmtuar, më negative, më antishqiptare dhe më antinjerëzore që Shqipëria ka përjetuar ndonjëherë. Dënojmë të gjitha llojet e politikave të ndjekura qoftë në parlament dhe gjithandej për të mbytur dhe manipuluar zërin qytetar siç ishte dëgjesa me qytetarët e Kukësit nga kryeministri i vendit. Aplikimi i videokonferencave do të thotë se për Kryeministrin Kukësi është më larg se Zelanda e Re apo Australia, nuk është dy orë afër por shumë më larg se kaq. Ky Kryeministër që do të qeveriste me popullin nuk mund të bashkëbisedojë me popullin."





