Këshilli i Lartë Gjyqësor ka zbardhur sot vendimin e pezullimit nga detyra të kryegjyqtares në detyrë të Elbasanit, Enkelejda Kapedani.

Në vendimin theksohet se KLGJ i lë disa detyra të rëndësishme Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Së pari, sipas KLGJ, ILD duhet të caktojë një ekspert IT që të evidentojë se kush i publikoi videot e Kapedanit në rrjetin social  “Tik-Tok” dhe me vonë të vijohet me procedurat.

Gjithashtu, KLGJ i kërkon ILD që të verifikojë sa persona kanë pasur akses për t’i parë videot e gjyqtares, e cila shfaqej duke bërë sfilatë në ambientet e Gjykatës së Elbasanit, ose duke thyer rregullat e qarkullimit rrugor në timon.

Por, detyra më e çuditshme që KLGJ i cakton ILD është dokumentimi i tekstit të këngëve, që shoqërojnë në sfond imazhin e magjistrates, në videon e publikuara në rrjetin e saj të “Tik Tok”.