TIRANE-Kodrat e Liqenit Artificial, vendi i vetëm ku kryeqytetasit mund të shëtisin dhe të kalojnë fundjavën, është kthyer në një vend të frikshëm ku shpeshherë vizitorët bien pre e agresioneve. Kjo gjë u ka ndodhur katër adoleshentëve dy javë më parë, të cilët kishin dalë për shëtitje por ranë pre e një agresioni nga pesë të rinj më të rritur. Sipas fëmijëve, grupi i të rinjve që i sulmoi ishin rreth moshës 20-22 vjeçare. Ata u kanë kërkuar që t'u jepnin telefonat celularë dhe paratë që kishin me vete. Ndërkohë që, prindërit e tyre nuk kanë bërë asnjë denoncim në polici, duke thënë se raste të tilla vjedhjesh ndodhin rëndom nëpër shkollat 9-vjeçare të fëmijëve të tyre por askush nuk ka ndërhyrë.
Rasti
Katër fëmijët të cilit janë sulmuar, ishin në moshën 13-14 vjeçare dhe janë sulmuar gjatë kohës që po bënin një pushim pranë amfiteatrit që ndodhet te Kodrat e Liqenit, pjesë kjo e populluar sidomos në fundjavë. Por, edhe pse ka qenë ora 14:30, agresorët, që sipas fëmijëve ishin pesë djem të rinj, nuk i ka ndalur kush. "Na gjetën kur po rrinim ulur te amfiteatri, në pjesën lart, jo nga ana e rrugës, dhe na thanë "na jepni telefonat dhe paratë që keni me vete". Ishin pesë çuna më të rritur, 20-vjeçarë besoj. Neve na u duk se ishin të droguar", – tregon një prej fëmijëve. Sipas tij, dy prej shokëve i dhanë telefonat menjëherë, ndërsa ai dhe një shok tjetër, që as një javë nuk kishte që prindërit i kishin blerë telefon të ri, nuk i nxorën fillimisht. Pak kohë kish që e kishte marrë këtë telefonin e ri. Ndaj iu tha që "nuk kam". Por ata na goditën me grushta dhe me disa gjëra që kishin në duar, ndërsa atë shokun e qëlluan me thikë, në dorë. I ra të fikët se u tremb, por më pas u bë më mirë dhe në shtëpi iku me këmbët e tij", – tregon 13-vjeçari.
Prindërit
Prindërit e fëmijëve të sulmuar, kanë thënë se ata nuk kanë bërë asnjë denoncim në organet e policisë. "Pse, çfarë do bëjë policia po të bënim ne denoncimin?" – kjo ka qenë deklarata e një prej prindërve. Ndër të tjera ata sqarojnë se fenomeni i vjedhjes së telefonave të fëmijëve këto kohët e fundit është përhapur nëpër shkollat e kryeqytetit. "Ajo që ne u kemi thënë fëmijëve është që, nëse dikush të kërkon telefonin apo paratë që ke me vete, jepja pa bërë rezistencë. Lusim që të mos u ndodhë më. Por me shumë frikë rrimë, pasi nëpër shkolla po dëgjojmë shpesh që fëmijëve u dalin para djem të rritur dhe u kërkojnë celularët", -tregon një prej prindërve të fëmijëve që janë sulmuar para dy javësh te Kodrat e Liqenit.





