Në Rrugën e Kombit, në aksin Kukës-Morinë janë vjedhur rrjetat mbrojtëse në një gjatësi prej 800 metrash.

Këto rrjeta shërbenin si mbrojtëse të makinave nga gurët që rrezikojnë të shkëputen nga karpatet anësore të malit. Ende nuk ka asnjë person të arrestuar apo të dyshuar.

Vjedhja e rrjetave mbrojtëse në autostradën Kukës-Morinë vazhdon të mbetet problem dhe burim aksidentesh.

Fenomeni ka marrë përmasa të mëdha, pasi persona të paidentifikuar kanë vjedhur të gjitha rrjetat në gjatësi 800 metra e që shërbejnë si mbrojtëse për mosrënien e gurëve në rrugë.

Banorët e Kukësit thonë se shqetësim tjetër është dhe mungesa e mbikalimeve.

Ndonëse vjedhja e rrjetave mbrojtëse cilësohet tepër shqetësuese nga banorët, deri më tani asnjë person nuk është ndjekur penalisht për dëmtimin e autostradës.

Pavarësisht se policia vazhdon patrullimet në këtë aks, nga Kalimashi në Kukës e deri në Morinë, sërish autostrada vazhdon të dëmtohet. /Ora News/