Një tjetër vjedhje automjeti tip “Benz” ka dokumentuar policia e Durrësit gjatë 24 orëve të fundit.
Më datë 04.02.2018, po gjatë natës, në lagjen nr. 13, shtetasit D.Sh. 34 vjeç, i kanë vjedhur mjetin tip “Mercedes Benz”, njofton sot policia.
Edhe 34-vjeçari, ashtu si pjesa më e madhe e personave që kanë pasur të njëjtin “fat të zi”, e kishte parkuar pranë banesës makinën.
Hajdutët, që janë kthyer në mjeshtra të vërtetë në Durrës për vjedhjen e këtyre lloj mjetesh, kanë pritur orët e vona të natës për të realizuar me saktësi “punën” e tyre të radhës.
Policia thotë se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve, por ashtu si në thuajse të gjitha rastet e mëparshme, vështirë se ata mund të gjenden.
Vjedhjet e “Benz”-ave po kthehen në një problem të madh për pronarët e tyre. Vetëm gjatë këtyre 3 javëve, duke iu referuar të dhënave policore, “DurrësLajm” ka raportuar për 4 vjedhje të tjera të këtyre mjeteve (lexo lajmet e lidhura më lart).





